Skip to main content

Urim e inkurajim shoqes

Momentet e mërzitshme dhe acaruese në rrugët e jetës tonë do të marrin fund vetëm në ditën e fundit të jetës. Po ashtu edhe të trishtat. Sigurisht, gëzimet nuk bëjnë përjashtim. Por, të gjitha do të kalojnë me buzëqeshje, sepse nuk je vetëm.
Jo, nuk je vetëm, e dashura ime.
Je bija e një nëne, je bija e një babai, je motra e një vëllai, je kushërirë, mbesë. Je shoqja e zemrës time. Je motra ime e preferuar (jo për gjë, po , s’është se kam motër tjetër :P ).
Njerëzit, që njohin vlerën tënde, do të jenë gjithnjë me ty. Të tjerët thjesht nuk kishin e nuk do të kenë vlerën e nevojshme, për të qënë pjesë e jetës tënde.
Nuk mund e nuk duhet të mbash mend të gjithë kalimtarët e rrugës tënde. Mjafton të hedhësh  sytë përreth e do të shohësh, se ke njerëz prapa, për të të mbështetur; ke njerëz para, për të të mbrojtur; ke njerëz në krahun e majtë, për të të ofruar një shpatull, për të qarë; ke njerëz në krahun e djathtë, për të të ndihmuar të ngrihesh, kur rrëzohesh.
Ama, mua nuk mund të më gjesh, ngado që të rrotullohesh.
Pse? Epo, nuk mund të jem motra jote, nëse ndodhem atje.
“Ku je” me pyet?
Haha, ngrije kokën lart.
A më sheh tani?
Do të jem me ty, kur të të nevojitet mbrojtje, mbështetje. Do të jem aty, të pres e të fshij perlat, kur të dalin prej syve të tu. Do të jem aty, për të të dhënë forcë në cdo betejë të jetës, sepse e tillë është ajo – luftë. Do të bëj tifo, për fitoret e tua e do të behëm gati, të vras hajdutët e fitoreve të tua.

Shoqja ime, ngrije kokën lart, kur të më kërkosh, sepse do të sigurohem,, të dalësh para botës pikërisht ashtu, më kokën lart!
Nuk do të lejoj kurrë, që sytë e tu të shohin asfalt të zi apo gri, por vetëm fushën me lule përballë ecjeve të tua.
Por, as unë nuk jam vetëm.
Shiko mirë lart, mos lejo retë të ta veshin kthjelltësinë e qiellit të kristaltë, sepse atje janë dhe familja jote. Jemi të gjithë sipër kokës tënde, për të pritur çdo dallgë të jetës tënde së bashku me ty. Nuk do të mbytesh kurrë.
Ah, dhe mos mendo se je ti me fat, që na ke neve; jemi ne me fat, që të kemi ty.
Buzëqeshi çdo shiu, sepse është shenja e fundit të motit të keq, sepse është shenja e ardhjes së diellit. Dije se “shiu të bën melankolik”, “shiu të trishton”, “shiu është për të fshehur lotët” janë veç shprehje të injorancës.
E përse mendon ti, se e dashuroj kaq shumë shiun unë? Sepse, e di, që pas tij vjen shkëlqimi. Duhet shiu, për të njohur vlerën e ngrohtësisë, apo jo? Kjo është një nga shumë arsyet e mia.
Vetëm kur janë pranë fundit të rrugës, njerëzit kuptojnë, se nuk panë lulet, që lanë prapa.
Humbasin diçka dhe bien pre e territ të humnerës së trishtimit.
Jo, nuk ka pse të jetë ashtu.
Vlerëso kujtimet e së kaluarës e duke i mbajtur në zemër, vazhdo të lësh gjurmë  gëzimi në çdo hap tëndin, për hir të së kaluarës.
Në fund të fundit, Zoti kurrë nuk të jep më tepër, nga sa mund të përballosh, por mjaftueshëm sa për tu përgatitur për të panjohurën pas kthesës së rrugës.
Nuk je më fëmijë e as adoleshente. Sot ke hyrë zyrtarisht në botën e të rriturve. Deri dje veç ke luajtur për qejf e ke bërë nxemje; nga sot fillon loja e vërtetë e mbaron vetëm kur ti të përqafosh dorëzimin – VËTËM ATËHERË!
Por, nuk ke pse t’i japësh dorën dorëzimit, sepse gjithnjë do të ketë një “NEXT”.
Ndonjëherë mund të mos e shohësh, por do të jem sipër teje, për të të drejtuar. E, nëse përsëri nuk do të mund ta arrish, atëherë do të të zgjasë “NEXT”-in tim.
Për çdo buzëqeshje që dhuron, shpirtit tim i shtohet një dritë. Për çdo perlë të derdhur, për çdo sy të lagur, për çdo hije të rënë mbi fytyrën tënde, shpirti im humbet copëza jete.
Të lutem, dielli im, ndriço! Shkëlqe! Verboji kalimtarët me rrezet e tua! Në këtë mënyrë as unë nuk kam pse të humbas copëza shpirti…sepse, pa ty nuk jam e plotë!

Comments